Kabashi: Gjatë dimrit prodhimi vendor i energjisë do të jetë në nivel
A.B/RTKlive
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), respektivisht Termocentralin Kosova B.
Rizvanolli është mirëpritur nga zv. kryeshefi Ekzekutiv, Përparim Kabashi, kryesuesi i Bordit, Arton Ahmeti dhe menaxhmenti i KEK-ut.
Kabashi e ka njoftuar ministren Rizvanolli për gjendjen aktuale, rezultatet e arritura, si dhe sfidat dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u, e me theks të veçantë për implementimin me sukses të projekteve kapitale, si ai i dilatimeve në kaldatë e njësive B1 dhe B2 që njëherësh kanë qenë parakusht për implementimin e projektit të elektro-filtrave dhe pajisjeve për zvogëlimin e DeNOx-it, si dhe projekti i ndërrimit të zbarrave të Gjeneratorit në njësinë B1 i cili gjithashtu ka përfunduar me sukses.
“Përveç projekteve kapitale, në dy njësitë e termocentralit Kosova B janë kryer edhe një sërë riparimesh të tjera, të cilat ishin planifikuar gjatë remonteve të rregullta vjetore të cilat kanë ndikuar në ngritjen e sigurisë se operimit”, njofton KEK-u.
Në vijim, z. Kabashi ka njoftuar ministren Rizvanolli se remontet dhe revizionet e rregullta vjetore janë realizuar me sukses edhe në njësitë A3 dhe A5 të termocentralit Kosova A, ndërsa në njësinë A4 është duke u realizuar remonti i rregullt vjetor konform dinamikës së planifikuar dhe pritet të rikthehet në operim në fillim të muajit dhjetor.
“Kabashi ka njoftuar se edhe Divizioni i Prodhimit të Qymyrit (DPQ) ka siguruar rezerva të mjaftueshme të lëndës së pare (qymyrit). Prandaj, duke u bazuar në të gjitha përgatitjet e bëra në tri divizionet e prodhimit, nuk ka mëdyshje që furnizimi nga prodhimi vendor do të jetë në nivel edhe gjatë sezonit dimëror”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.























