Murati: Opozita synon vetëm bllokimin e shtetit
BKT
Ekonomi

Murati: Opozita synon vetëm bllokimin e shtetit

F.S / RTKlive

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se synim i opozitës është bllokimi i shtetit, duke thënë se kjo po bëhet “edhe në kurriz të qytetarëve”.

Ndërkaq, rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të mërkurën njoftoi se komunat do të duhet t’i falin vetë tatimet në pronë, Murati tha se u dëshmua që akuzat ndaj Qeverisë ishin të pabaza.

 “Të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza, dhe kjo gjë edhe u dëshmua tani. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se opozita synim të vetëm e ka bllokimin e shtetit, qoftë edhe në kurriz të qytetarëve. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë”, ka shkruar ai në Facebook.

Në shtator, Kushtetuesja pati vendosur masë të përkohshme për nenin e Ligjit për tatimin në pronë, që parashihte faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët. Komuna e Prizrenit e pati dërguar ligjin për vlerësim në Kushtetuese. Kryetarët e komunave akuzonin Qeverinë për ndërhyrje në kompetenca të komunave dhe se me këtë ligj ato dëmtoheshin duke ua zvogëluar buxhetin.

Kushtetuesja ka bërë të ditur po ashtu se periudha 15-ditëshe që komunat të vendosin për faljen e tatimit në pronë, nis nga dita e hyrjes në fuqi të aktgjykimit.


MË SHUME NGA Ekonomi