Hapet zyra e Unionit të Bizneseve shqiptaro–gjermane në Kosovë
F.Sertolli / RTKlive
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se zyra e Unionit të Bizneseve shqiptaro – gjermane është hapur në Kosovë, me qëllimin që edhe diaspora të bashkëkrijojë me Prishtinën, Kosovën e Shqipërinë.
Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar, se si person që vjen nga diaspora, e kupton nevojën, dëshirën e dashurinë e biznesmenëve shqiptarë që veprojnë në Gjermani për të vepruar edhe në Kosovë.
“Gëzuar për hapjen e Zyrës së Unionit të Bizneseve Shqiptaro -Gjermane në Kosovë!. Unë si kryetar i kryeqytetit vi nga diaspora dhe e kuptojë thellësisht nevojën, dëshirën e dashurinë e biznesmenëve shqiptar që veprojnë në Gjermani, e që kanë për zhvillimin e vendit tonë”, ka shkruar Rama.
Ai tha se nuk është koha vetëm të japin, por është koha që diaspora të bashkë krijojë me Prishtinën, Kosovën, Shqipërinë e gjithë shqiptarët kudo që janë.
“Këtë më së miri mund ta bëjmë përmes zyrës të Unionit të Bizneseve Shqiptaro – Gjermane. Ky shekull, është shekulli i shqiptarëve”, ka shkruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.























