Kërkohet anulimi i konkursit për kryeshefin ekzekutiv të "Trepçës"
Sh.Ç /RTKlive
Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka kërkuar anulimin e konkursit për Kryeshef Ekzekutiv të Trepçës.
Sipas tyre, kërkesat e përgjithshme të paraqitura në konkurs janë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publik.
“Kërkesa për dokumentin “Certifikatën (dëshminë) nga gjykata kompetente që dëshmon se nuk është nën hetime jo më të vjetër se gjashtë muaj” është në kundërshtim me këtë ligj duke qenë se ligji përcakton që kandidati do të duhet të mos jetë i dënuar nga një gjykatë kompentente. Pra, do të duhej të kërkohej dokumenti që e vërteton këtë gjë dhe jo dëshmia që nuk është nën hetime”, theksojnë këto organizata.
“Në kriteret e kualifikimit, nuk është cekur niveli i shkollimit, vetëm fusha/drejtimi i kërkuar. Në të njëjtën kohë, kërkesa për ndërlidhje mes veprimtarisë biznesore të ndërmarrjes me drejtimet duhet të specifikohet pasi kjo lë hapësirë për interpretim të gjerë gjatë vlerësimit të kandidatëve”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Në kriteret e kualifikimit, nuk është cekur niveli i shkollimit, vetëm fusha/drejtimi i kërkuar. Në të njëjtën kohë, kërkesa për ndërlidhje mes veprimtarisë biznesore të ndërmarrjes me drejtimet duhet të specifikohet pasi kjo lë hapësirë për interpretim të gjerë gjatë vlerësimit të kandidatëve. Te pjesa ku është cekur se ‘preferohet kandidatët me përvojë pune në ndërmarrjet/korporatat tjera të mëdha dhe me kompleksitet të lartë’, një kriter i tillë nuk është theksuar se si mund të vlerësohet, e përderisa nuk është kriter obligativ është dashur të ketë sqarime shtesë për vlerësimin e këtij kriteri”, thuhet në njoftim.
Njoftohet se të njëjtat shqetësime janë ndarë me menaxhmentin e Trepça Sh.A, por që nuk janë adresuar.
“Përmes këtij reagimi, CorrWatch kërkon që ndërmarrja të anulojë konkursin për shkak të shkeljeve ligjore si dhe i njëjtit të rishpallet në bazë të kritereve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi të cilat garantojnë proces transparencë dhe të bazuar në meritokraci”, thuhet në njoftim.























