Vitia: 750 mijë euro investime në Klinikën e Kardiokirurgjisë
B. H. | RTKlive
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se tashmë ka nisur investimi në Klinikën e Kardiokirurgjisë dhe vlera e investimit në infrastrukturë dhe në pajisje të reja është mbi 750 mijë euro.
Në këtë investim përfshihet rinovimi dhe riorganizimi i sportelit, zgjerimi dhe riorganizimi i dhomave të kujdesit intensiv, rinovimi i sallave operative, si dhe hapësira të reja për stafin, për arkivat, për depot e barnatores dhe depot e materialit kirurgjik.
“Kohën e pritjes së pacientëve nga 1 vit e kemi ulur në 2 muaj. Ndërsa pas investimit, nga mesi i 2024 nuk do të ketë listë të pritjes”, ka shkruar ministri Arben Vitia në Facebook.
Ai ka njoftuar se me dyfishimin e numrit të shtretërve do të rritet në 400 numri i pacientëve që mund të marrin shërbime nga 300 sa ishte deri tash.
Ai ka theksuar se ky investim përfshin masat për zvogëlimin e infeksioneve intraspitalore.























