Zemaj kritikon partinë në pushtet për mungesë të investimeve në shëndetësi
Sh.Ç /RTKlive
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar qeverinë partinë në pushtet, për mungesë të investimeve në shëndetësi.
Zemaj ka thënë se pas tri viteve në Qeveri, tek sot e kanë proklamuar nisjen e renovimit të një pjese në Klinikën e Kardiokirurgjisë.
“Pas 32 muaj e dy javë të qeverisjes së VV-së në sektorin e shëndetësisë; pas menaxhimit të tre ministrave të shëndetësisë, përfshirë edhe kryeministrin, ndonëse secili më i dështuar se tjetri, tek sot e paskan proklamuar nisjen e renovimit të një pjese në Klinikën e Kardiokirurgjisë. Merreni me mend, 750 mijë euro investim pas tre viteve në Qeveri”, ka shkruar ish-ministri i Shëndetësisë në Facebook.
Ai i ka quajtur zyrtarët e shtetit mashtrues që dështimin tentojnë ta prezantojnë për sukses.























