FKGK e Agjencioni Suedez për Zhvillim nënshkruajnë marrëveshjen e garancisë
BKT
Ekonomi

FKGK e Agjencioni Suedez për Zhvillim nënshkruajnë marrëveshjen e garancisë

M.Miftari/RTKlive

Sot, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore dhe Agjencioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar–SIDA, përfaqësuar nga Ambasada e Suedisë në Kosovë, nënshkruajnë marrëveshjen e garancisë në vlerë 14.9 milionë euro.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës; Banka Qendrore e Kosovës; Agjencioni Suedez për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar  – Sida, Ambasada e Suedisë në Kosovë, përfaqësues të Usaid, KfW, Bankës Botërore, Bankave komerciale, Institucioneve Mikrofinanciare dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë.

Hapjen e kësaj ngjarje e bëri Agan Azemi, kryesues i Bordit të FKGK-së me ç’rast i uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve.

Në këtë ngjarje ishte prezente edhe ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, e cila tha se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që nga fillimi ka qenë pjesë e themelimit të FKGK-së, ka kontribuar në hartimin e ligjit dhe në kapitalin themeltar të FKGK-së.

“Ky instrument financiar ri garantues, është një mundësi më shumë për të adresuar nevojat e ndërmarrjeve private në Kosovë për qasje në financim e cila ka në fokus rritjen e mundësive për investime të gjelbra, ndërmarrjet në pronësi apo të udhëhequra nga gratë, si dhe ndërmarrjet eksportuese. Për më tepër jam e lumtur që zgjerimi FKGK-së dhe rritja e portofolit të kredive për NMVM- të, është vlerësuar si arritje edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian”, deklaroi Rozeta Hajdari ministre e MINT-it.

Ndërsa ambasadori suedez në Kosovë Jonas Westerlund tha se Përpjekjet tona të përbashkëta me Garancinë synojnë arritjen e 55 milionë euro investime.

 “Përpjekjet tona të përbashkëta me Garancinë synojnë arritjen e 55 milionë euro investime, krijimin e 2700 vendeve të reja të punës, rritjen e barazisë gjinore në sektorin e biznesit dhe kalimin në një ekonomi më të gjelbër”, deklaroi Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë.

Ndërkaq guvernatori i Bakës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili theksoi se rritja e vazhdueshme e kapitalit të FKGK-së, kombinuar me skema rigarantuese, përfshirë këtu edhe marrëveshjen e sotme të rigarancionit ndërmjet FKGK-së dhe SIDA-s ndikon në zgjerimin e qasjes në financa, rritjen e konkurrencës, zvogëlimit të hendekut të financimit me kushte konkurruese, ruajtjen e nivelit të kredive jo- performuese dhe të stabilitetit financiar e që janë edhe në përputhje me strategjinë dhe mandatin e BQK-së.

“BQK-ja e konsideron FKGK-në si një mekanizëm shumë të rëndësishëm për të mirëmbajtur dhe avancuar edhe më tej objektivin për sistem financiar stabil, me ndikim në mbështetje të ekonomisë. Prandaj, edhe bashkëpunimi do të fuqizohet në interes të zbatimit të këtyre objektivave”, deklaroi Ismaili.

Kurse FKGK përmes një deklarate bën të ditur se me nënshkrimin e marrëveshjes me Agjencinë Suedeze për Zhvillim-Sida, si dy partnerë, forcojnë edhe më tutje bashkëpunimin për të mirën e ekonomisë së vendit. Kjo ngjarje vërteton përkushtimin e institucionit tonë për të nxitur rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë në Kosovë, të plotësuar me mbështetjen e vazhdueshme të Sida-s.

“Marrëveshja e nënshkruar sot shënon bashkëpunimin tonë të dytë me Sida-n që nga viti 2018, kur marrëveshja fillestare me vlerë 10 milionë euro u realizua me sukses duke mundësuar kredidhënie rreth 40 milionë euro. Marrëveshja e garancisë e finalizuar sot, në vlerë 14.9 milionë euro, shërben si dëshmi e mëtejshme e angazhimit tonë për të garantuar kredi për NMVM-të. Kjo marrëveshje parashikohet të lehtësojë qasjen në financa për NMVM- të duke u mundësuar një kredidhënies deri në 55 milionë euro”, thuhet në deklaratë.

Tutje bëhet e ditur se mundësitë e ofruara nga Marrëveshja e Ri-garancisë e nënshkruar sot do të hapin rrugën për ofrimin e kushteve më të favorshme për kredi të rigarantuar përmes dritareve të FKGK-së si:Dritare për gratë në biznes;Dritarja e eksportit;Dritarja GROW.


MË SHUME NGA Ekonomi