Hajdari e Murati i reagojnë Hotit për kritikat rreth ambientit për biznes
BKT
Ekonomi

Hajdari e Murati i reagojnë Hotit për kritikat rreth ambientit për biznes

N.M. /RTKlive

Ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kanë reaguar ndaj, ish-kryeministrit, njëherësh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, pasi ky i fundit tha se ambienti për biznes në vitin 2023 është përkeqësuar në të gjitha aspektet krahasuar me vitin 2017.

Ministrja Hajdari, në një postim në Facebook, tha se deputetit Avdullah Hoti i pengojnë të arriturat e Qeverisë së tanishme, madje edhe ato që Raporti i Progresit i Komisionit Evropian i vlerëson si progres, andaj tenton ta zbeh me analiza të pabaza klimën e të bërit biznes në Kosovë.

“Me fjalë të tij, ai nuk mund të sfidoj as punën tonë dhe as ekspertët të cilët me analiza e diagnostikifim të mirëfilltë me evidencë në detaje e me shumë kujdes punojnë në përpilimin e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian”, shkruan Hajdari.

Sipas saj, Raporti i Progresit për Kosovën, për periudhën qershor 2022 - qershor 2023, i publikuar nga Komisioni Evropian në nëntor të këtij viti, vuri në pah angazhimin e Qeverisë për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në vend. “Madje, vet raporti thekson se Kosova ka shënuar progres në klimën e të bërit biznes, duke shtuar se, progres ka pasur edhe në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale”, thotë pos tjerash Hajdari.

Kurse, ministri Murati ka thënë se deputeti Avdullah Hoti, në reagimin e tij, ka përdorur një studim të bërë nga Riinvest dhe se ky studim, sipas ministrit ka shumë shpërpushje me gjendjen faktike.

Sipas Muratit, metodologjia e përdorur për matje, në këtë studim, është gabim, "ose se, edhe një institucion arsimor/hulumtues si Riinvest është bërë instrument i agjendës së politikave ditore të opozitëbërjes”.

“Për hir të institucionit, uroj që të jetë e para, përkundër afërsisë evidente të këtij institucioni me eksponentë të LDK-së”, ka shkruar pos tjerash, Murati në reagimin e tij në Facebook, duke u sqaruar rreth disa pikave në kritiken e deputetit Hoti.

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ambienti për biznes në vitin 2023 është përkeqësuar në të gjitha aspektet krahasuar me vitin 2017.


MË SHUME NGA Ekonomi