Kuvendi miraton ligjin për Fondin Sovran dhe raportin vjetor të BQK-së
BKT
Ekonomi

Kuvendi miraton ligjin për Fondin Sovran dhe raportin vjetor të BQK-së

SH.Ç/RTKlive

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran. 62 deputetë, kanë votuar pro këtij projektligji, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Si pjesë e Projektligjit për Fondin Sovran në lexim të dytë u përfshin 47 amendamente.

Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së.

Gjithasht Kuvendi ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për Mbrojtje nga zjarri dhe raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës të vitit të kaluar.

Projektligji për Mbrojtje nga zjarri në shqyrtim të parë kaloi me 62 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Me 62 vota pro është miratuar edhe raporti vjetor i BQK-së për vitin 2022.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka bërë të ditur se seanca të tjera plenare nuk do të ketë më për këtë vit, derisa puna e komisioneve parlamentare do të vazhdojë.


MË SHUME NGA Ekonomi