AUV ndalon pije energjike, ishin me afat të skaduar
BKT
Ekonomi

AUV ndalon pije energjike, ishin me afat të skaduar

E. Hoti / RTKlive

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka njoftuar se janë gjetur dhe ndaluar pije energjike me afat të skaduar të cilat për destinacion kanë pasur tregun e Kosovës.

Në njoftim bëhet e ditur se agjencitë shtetërore për ruajtjen e kufirit  që funksionojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit MIK- AUV, Doganat dhe Policia  mbrëmë në pikën kufitare Vërmicë kanë ndaluar një sasi prej 1,836 paketimesh pije energjike power drink.

Sipas AUV-it gjatë kontrollit të detajuar të ngarkesës inspektori kufitar ka gjetur produkte me afat të skaduar. Për të njëjtat thuhet se menjëherë  është nxjerrë vendim refuzimi  duke pamundësuar hyrjen  e tyre në tregun e Kosovës.

Sipas kësaj agjencie produktet e tilla do  të asgjësohen nën mbikëqyrje të autoriteteve kompetente.   

“Me rritjen e fluksit të importit të produkteve ushqimore në prag të festave të funde vitit, AUV  ka  shtuar masat e kontrollit në import në të gjitha fazat  e kontrollit inspektues.

Po ashtu është rritur edhe frekuenca e mostrimit me qëllim testim/ekzaminimi  laboratorik në parametra të sigurisë ushqimore. Përveç produkteve të klasifikuar si të pasigurta për konsum,  për të cilët është nxjerrë vendim refuzim, në të njëjtën maune janë hasur edhe sasi tjera produktesh ushqimore të klasifikuara si të dyshimta për konsumim”, u tha në njoftim. 

Autoritet kufitare si AUV, DK dhe PK,  kanë ndaluar ngarkesën në fjalë.

“Produktet e tilla do qëndrojnë në pikë kontrolli kufitar deri në konfirmim  të rezultateve laboratorike. Varësisht nga rezultatet e testeve laboratorike merret vendimi përfundimtar”, thuhet në njoftim.

Më tej AUV potencon se produktet e klasifikuar si të pasigurta në aspektin e sigurisë ushqimore janë  refuzuar dhe në mbikëqyrjeje të autoriteteve kufitare do asgjësohen, ndërsa produktet e klasifikuar si të dyshuara  pas procesit të mostrimit,  do  qëndrojnë në pikë kontrolli kufitar deri në eliminimin e të gjitha dyshimeve të ngritura dhe pastaj do merret vendimi përfundimtar.

“ Në bashkëpunim dhe koordinim të plotë autoritetet  kufitare, me anë të kontrolleve do të pengojnë çfarëdo tentimi për futje në treg të ushqimeve të pasigurta. Në të gjitha rastet ku hasen parregullsi/kundërshtime ligjore, MIK do veproj!”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Ekonomi