Drejtori i minierës, u shkarkua një ditë pas lëndimit të 12 minatorëve
Edina Avdiu/ RTK
Pastrimi i gypave të pompave gati sa nuk u kushtoi me jetë minatorëve në horizontin e 11-të.
Miftar Mehmeti tregon për tmerrin që pa kur acidi sulfurik ra në kontakt me trupat e xehetarëve.
Mehmeti u lirua dje në shtëpi së bashku me 9 minatorë të tjerë, ndërsa dy prej minatorëve po vazhdojnë të trajtohen në repartin e Oftalmologjisë në Spitalin e Mitrovicës.
Një ditë pas incidentit, nga detyra u shkarkua drejtori i minierës “Trepça”, Bahri Karaça.
"Se përse ka ardhur direkt shkarkimi im, pa asnjë vërejtje apo arsye, duke mos qenë as përgjegjes i parë për incidentin, nuk kam asnjë lloj informate", tha ai.
Në vend të tij, pozitën e drejtorit të minierës në Stantërg do ta ushtrojë Shyqri Sadiku.
Minatorët e Trepçës tash e sa muaj kanë ngritur shqetësime për kushtet e punës dhe mungesën e sigurisë në punë.























