Mehmeti: Përdorimi i dinarit ka qenë antikushtetues dhe ilegal
F.S/RTKlive
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se që nga paslufta sfidë për Kosovën ka qenë qarkullimi i valutës serbe, dinarit në disa komuna të Kosovës me shumicë serbe.
“Përdorimi i dinarit ka qenë antikushtetues dhe ilegal dhe është përdorur nga serbët lokal në mënyra të ndryshme”, ka shkruar ai në ‘Facebook”.
“Në vitin 1999, Marka gjermane (DEM) u bë monedha e lejuar për përdorim në Kosovë. Rregullorja 1999/04 dhe Udhëzimi Administrativ pasues 1999/02, të dyja të nxjerra në vitin 1999, e miratuan markën gjermane si mjet pagese për llogaritë dhe pagesat zyrtare. Konvertimi nga marka gjermane në Euro u formalizua përmes Direktivës se lëshuar nga UNMIK-u me numër 2001/24”, tha ai.,
Sipas tij, në bazë të nenit 11 të Kushtetutës së Kosovës Kosova përdor vetëm një valutë, ndërsa sipas nenit 17 të ligjit të BQK-së, kjo e fundit ka të drejtë të këmbejë monedha dhe kartëmonedha të Euros.
“Gjatë mandatit tim si guvernator i BQK-së, kemi pasur raste dhe informata për veprime ilegale, por së bashku me Policinë kemi ndërmarrë veprime bazuar në ligj”, tha Mehmeti.























