Kompletohet Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës
F.S / RTKlive
Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, ka emëruar dy zëvendësguvernatorë, duke kompletuar kështu Bordin Ekzekutiv, sipas Strukturës së re Organizative të miratuar në muajin nëntor 2023, bazuar në rekomandimet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
“Përzgjedhja është bërë sipas kërkesave të Ligjit të BQK-së përmes një procesi konkurrues dhe meritor, me propozim të Guvernatorit”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Sipas njoftimit, zëvendësguvernatorët e emëruar Nesrin Shileku - Shala dhe Milot Cakaj do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme.
“Të tre zëvendësguvernatorët së bashku me Guvernatorin përbëjnë Bordin Ekzekutiv, vendimet e të cilit janë kolegjiale”, thuhet në njoftim.
Me përfundimin e këtij procesi, sipas njoftimit, plotësohen të gjitha strukturat vendimmarrëse të BQK-së të përcaktuara në Ligjin e BQK-së dhe Strukturën Organizative.
Ndryshe, këto ndër të tjera ishin edhe kërkesat nga Programi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe rekomandime nga misionet e tij.























