Miratohet buxheti i RTK-së për gjashtëmujorin e parë të vitit
Medina Pasoma / RTKlive
Komisioni për Buxhet dhe Financa ka miratuar buxhetin financiar të transmetuesit publik për gjashtëmujorin e parë të vitit, pas shqyrtimit të programit të shpenzimeve me Bordin dhe menaxhmentin e RTK-së.
Nga periudha janar-qershor, RTK do të ketë në dispozicion buxhet në vlerë prej 4 milionë e 400 mijë euro. Ndërkaq si i plotë, buxheti i vitit 2024 është 8 milionë e 960 mijë euro.
Ndërkaq praktika e raportimit në Komision çdo tre muaj tashmë është ndryshuar në çdo gjashtë muaj.
Ahmetxhekaj: Reforma e rikthen RTK-në në binarë, duhet rritje e buxhetit
Drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka theksuar se reforma do të mundësojë që transmetuesi publik “të kthehet në binar”.
Ai ka potencuar nevojën e rritjes së buxhetit nga Kuvendi i Kosovës.
“Reforma që e kemi prezantuar në bord, parashikon që RTK mund të funksionojë me 10% staf më pak se sa që ka tani. Kemi të bëjmë me fuzionim të shumë departamenteve, në një lloj centralizimi. Po parashikojmë t’i ulim nivelet menaxhuese nga 126 në 76, për të rregulluar pozitat e redaktorëve, gazetarëve, që të jenë në proporcion të drejtë me standardet ndërkombëtare se si duhet të funksionojë një media”, ka thënë Ahmetxhekaj.
“Mendoj që RTK-ja ka hyrë në reformë dhe ajo po ndodh. Nuk besoj që ka ndonjë institucion në Kosovë që ka zvogëlim të pagave, jo në kuptimin e sasisë që marrin punëtorët, por në shpenzime në paga prej 1.6 milionë në vit. Po ashtu edhe plot departamente tjera janë shuar apo ka pasur reduktim të stafit. Por kjo jo në aspektin e ndëshkimit të punëtorëve në baza personale apo selektive, partiake, apo më pëlqeu apo jo. Te pjesa e inspektoratit dhe të tjerëve ne presim vendimin e Gjykatës”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Kryetari i Komisionit Armend Muja ka pasur kritika për sa i përket konfliktit të interesit të disa prej punonjësve të RTK-së, të cilët krahas punës në RTK kanë edhe angazhime tjera shtesë. Ndërkaq, anëtari Mërgim Lushtaku ka pasur kritika për zgjatjen e procesit të reformës dhe ka kërkuar datë të saktë se kur do të nisë procesi i ristrukturimit të transmetuesit publik.
Po shqyrtohet programi i shpenzimeve të RTK-së
Komisioni për buxhet dhe financa është duke shqyrtuar programin e shpenzimeve të RTK-së për periudhën janar-qershor. Për 6 mujorin e parë të vitit, buxheti parashihet të jetë 4 milionë e 400 mijë euro.
Nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti ka thënë se planifikohet të shpenzohet 50% e buxhetit të plotë.
“Buxheti i RTK-së është i ndarë me shumën e njëjtë sikur vitin e kaluar. Pra këtë vit është 8 milionë e 960 mijë euro, e cila përbën 81.51% të buxhetit. 13.19% janë të hyra nga marketingu dhe rrjete sociale, konkretisht 1 milion e 450 mijë euro. 2.27% apo 250 mijë euro janë të ndara nga MKRS për Festivalin e Këngës, 3.2% janë fondi rezervë që barten nga viti në vit. Gjithsej RTK do të operojë në vitin 2024 me 10 milionë e 911 mijë e 861 euro”, ka deklaruar ajo.
Anëtarët e komisionit kanë pasur pyetje edhe për reformën e RTK-së, e cila synon ristrukturimin e institucionit për brenda. Mehmeti ka thënë se ende procesi është duke vazhduar dhe se duhet të bëhen disa ndryshime në draft.
“Me reformë i rregullojmë të gjithë punëtorët e sektoreve. Reforma parasheh specifikimin e departamenteve, sa punëtorë do të ketë në departamente. Organogrami i RTK-së është i ngarkuar, duke shkuar në eliminimin e pozitave, sepse ka pozita që paguhen shumë por s’kanë përshkrime të punës”, ka thënë ajo.
Tutje Mehmeti ka thënë se mosaprovimi i draftit fillestar ka ardhur për shkak se kalkulimi i pagave ka qenë i realizuar në mënyrë horizontale dhe s’ka qenë gjithëpërfshirës.























