Vendimi i BQK-së, Gërxhaliu: Vendim i qëlluar në kohë e rrethana të gabuara
BKT
Ekonomi

Vendimi i BQK-së, Gërxhaliu: Vendim i qëlluar në kohë e rrethana të gabuara

F.S / RTKlive

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, i ftuar në “Info Plus “ të RTK-së ka folur për vendimin e BQK-së për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë, i cili sot ka hyrë në fuqi, duke thënë se ndalimi i dinarit është vendim i qëlluar në kohë dhe rrethana të gabuara.

Madje, sipas tij, edhe për këtë çështje duhet të ketë dialog me BE e SHBA-në dhe se moskoordinimi me aleatët e dëmton Kosovën.

“Duhet ta kuptojmë që në aspektin ligjor Kosova ka të drejtë për të zbatuar ligjin dhe rregulloren. Vetë fakti që jemi me një proces të dialogut të mbikëqyrur nga BE e të mbështet në SHBA duhet të kemi një koordinim me aleatët tanë kur Kosova është nën sanksione dhe në raport me BE e ka rritur pakënaqësinë, vendimet e tilla pa koordinim  me ndërkombëtarët po e dëmtojnë Kosovën. Nuk flitet për procese të pastra ekonomike në raporte Kosovë-Serbi pa politikën, ky korrelacion politik po e kthen Kosovën në pikën zero”, tha ai.

Ai theksoi se Kosova ka të drejtë të zbatojë ligje të tilla që e garantojnë funksionimin e një valute në vend, por sipas tij, shqetësues është fakti se është e pamundur të bisedohet për çështje të pastra ekonomike kur bëhet fjalë për raportet mes shqiptarëve dhe serbëve.

“E tëra kjo po merr ngjyrim politik dhe ky politizim më shumë po e dëmton Kosovën se Serbinë. Në këtë drejtim duhet dialog i mirëfilltë me faktorët ndërkombëtarë, sepse një vendim i tillë, sado që është i qëlluar, është i pruar në rrethana të shqetësuar, ku e kemi parasysh faktin se jemi duke dialoguar me Serbinë nën mbikëqyrjen e BE-së dhe mbështetjen e ShBA-së”, tha Gërxhaliu.

Ai po ashtu theksoi se një vendim i tillë i BQK-së në kohën kur Kosova është nën masa ndëshkuese nga BE-ja, do të ndikojë edhe më tepër që të ketë një prolongim të eliminimit të masave.

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës javë më parë ka publikuar Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme, përmes së cilës bëhet e ditur se ndalohet ri-qarkullimi i kartëmonedhës 500 euro-she dhe se e valuta e vetme zyrtare në Kosovë është euro.

Saktësisht thuhet se valuta e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar të pagesave (SNP/KIPS) në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.  Kjo rregullore ka hyr sot në fuqi, më 1 shkurt 2024.


MË SHUME NGA Ekonomi