Ka nisur zbatimi i fazës së tranzicionit të rregullores së BQK-së|VIDEO
Arbresha Berisha/ RTK
Me hyrjen në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore, e cila i jep fund përdorimit të dinarit në lokalitetet serbe në Kosovë, ka nisur edhe zbatimi i fazës së tranzicionit.
Zyrtarët e Bankës Qendrore thonë se në këtë fazë nuk do të shqiptojnë gjoba, por do të shpërndajnë informata.
"Periudha transitore nënkupton se nga 1 shkurti nuk do të shqiptohen masa ndëshkuese, por që qytetarët dhe bizneset do të informohen më shumë rreth kësaj rregulloreje. Ndërkaq, bankat komerciale që operojnë në vend, do të udhëzohen për hapjen e degëve të reja në komunat veriore si dhe do të ofrojnë xhirollogari bankare bazike pa ndonjë kosto".
Përgjegjëse për zbatimin e kësaj rregulloreje janë Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati i Tregut, Dogana e Administrata Tatimore.
“Në këtë rast ne sigurohemi që çmimet e produkteve dhe shërbimeve për konsumatorë të jenë të deklaruara në monedhat e lejuara në Republikën e Kosovës”, tha për RTK Naim Hajra, Zv. Kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut
Zyrtarët e Doganat e Kosovës shprehen se do t'i zbatojnë politikat e përcaktuara nga institucionet.
“Edhe me ndryshimet e reja të BQK-së, dogana do të zbatoj administrimin e aranzhimeve të përcaktuara për operacionet me para. Zbatimi në praktikë nuk paraqet ndonjë ndryshim të theksuar nga administrimi i tanishëm”, thonë nga Dogana e Kosovës.
Nga Administrata Tatimore deklarojnë se me kapacitetet që kanë do të kryejnë inspektime edhe në komunat me shumicë serbe.
“Sipas legjislacionit tatimor, të gjitha pagesat e tatimeve dhe kontributeve bëhen vetëm në valutën euro. Po ashtu, edhe me pajisjen fiskale për gjenerimin e kuponit fiskal bëhet raportimi vetëm në euro”, thonë për RTK nga Administrata Tatimore e Kosovës
Njohës të ekonomisë shprehen optimistë se rregullorja do të gjejë zbatim te qytetarët e komunitetit serb.
Kurse Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë tha për RTK, çdo vendim që është marrë deri tash ka pasur vështirësi, por kohën e fundit e kanë kuptuar qytetarët serb se janë duke jetuar në Kosovë.
RTK ka raportuar se në ditën e parë të hyrjes në fuqi të rregullores, në komunat me shumicë serbe vazhdon të qarkullojë dinari.























