Oda e Hotelierisë dhe Turizmit në panairin turk si mundësi për ndërmarrësi
M.P. / RTKlive
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ka njoftuar se do të marrë pjesë në panairin “Anfaş Food Product”, i cili do të mbahet në Antalja të Turqisë.
Kosova do të përfaqësohet me 40 biznese anëtare të Odës në edicionin e 30-të të panairit.
“I dalluar për gamën e gjerë të produkteve dhe shërbimeve, Anfaş Food Product është një pikë takimi për profesionistët e industrisë. Ky panair ofron një platformë unike për ekspozuesit dhe vizitorët për t'u njohur, për të ndërtuar rrugë të bashkëpunimit, për të kryer biznes dhe për të qëndruar të informuar për tendencat aktuale të industrisë”, thuhet në njoftimin e Odës.
Tutje, qëllimi i OHTK-së dhe bizneseve anëtare të saj në këtë panair është krijimi i kontakteve si dhe shkëmbimi i përvojave të mira me bizneset analoge.























