Kosova pjesë e programit “Evropa digjitale”, kalon projketligji në Komision
Edona Podvorica/RTK
Deputetet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti i dhanë dritën e gjelbër Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027”.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se projektligji në fjalë synon ti afroj shtetet e Ballkanit Perëndimor me ekonominë e Be-së, sidomos ekonomitë e vogla. Ajo ka theksuar se kjo është një marrëveshje kornizë ndërmjet Be-së dhe Republikës së Kosovës dhe se buxheti nuk është i ndarë sipas shteteve por fondet merren në bazë të thirrjeve.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala e pyeti ministren Rizvanolli,nëse edhe kjo marrëveshje hyn ne listën e marrëveshjeve që janë të bllokuara financiarisht,si pasojë e masave që Bashkimi Evropian i ka vënë Kosovës nga vera e vitit të kaluar.
Ministrja Rizvanolli, ka deklaruar se masat e BE-së nuk kanë implikim në këtë marrëveshje.
“Kjo marrëveshje është nënshkruar brenda periudhës që kemi qenë nën masa. Nuk ka ndikim dhe nuk presim të ketë ndikim në aplikimet e ardhshme në këtë program”, ka thënë ajo.
Deputetja Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që deputetët e komisionit të votojnë edhe për futje në rend të ditës këtë marrëveshje për nesër në Kuvend.
“Kuvendi nesër do të këtë ne rend dite edhe 8 marrëveshje që presin të votohen, dhe do te ishte shumë mirë qe kjo marrëveshje të përfshihet nesër në rend dite në seancë, dhe nesër duhet edhe mbështetja edhe e opozitës,duke e ditur peshën e kësaj marrëveshjeje,pra ta mbështesim bashkërisht”, ka thënë ajo.
Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027”, mori votat e nevojshme në komision për t’u proceduar në Kuvend.
Deputetët, po ashtu votuan që ky projektligj të futet në rend dite nesër, dite e enjte për votim, bashkë me 8 marrëveshje tjera që do të shqyrtohen e presin votën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.























