Masa e punësimit për qytetarët e komunave veriore, 70% e pagës nga MFTP
M.P. / RTKlive
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka njoftuar për lansimin e masës së punësimit për qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë takimit të sotëm me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka dhënë detaje nga kjo masë.
“Për të përkrahur punësimin e qytetarëve në këto komuna, MFPT do të subvencionojë 70% të pagës bruto për gjashtë muaj me radhë deri në maksimumin prej 350 eurove. Për të përfituar nga kjo masë, punëkërkuesit duhet të jenë të regjistruar si të tillë në zyrën e punësimit në komunën e tyre përkatëse, të jenë mbi moshën 18 vjeç si dhe të jenë banorë në njërën nga katër komunat veriore”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, punëdhënësit gjithashtu duhet të jenë me bazë në njërën nga katër komunat veriore si dhe të jenë duke funksionuar në mënyrë të rregullt ashtu siç parashihet përmes legjislacionit të Kosovës.























