Zelenskyy fton Poloninë në bisedime mes protestave të fermerëve polakë
AA
Mes një proteste të vendosur nga fermerët polakë që bllokuan pikat kryesore të hyrjes me Ukrainën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë thirrje për një takim me kryeministrin polak, Donald Tusk, brenda katër ditëve për të zgjidhur çështjet në lidhje me eksportet e drithërave ukrainase.
“Kam urdhëruar qeverinë tonë që të arrijë në kufirin mes vendeve tona në të ardhmen e afërt, deri më 24 shkurt. Unë ju bëj thirrje, zoti kryeministër, të vini edhe në kufi”, shkroi Zelenskyy në platformën sociale X.
Protestat po zhvillohen në disa qytete në të gjithë Poloninë për të kundërshtuar politikën bujqësore të Bashkimit Evropian (BE), Marrëveshjen e Gjelbër dhe importin pa taksa të mallrave agro-ushqimore nga Ukraina.
Bisedimet e propozuara nga Zelenskyy vijnë një ditë pasi fermerët polakë intensifikuan protestën e tyre duke bllokuar transportin hekurudhor në fshatin Medyka në kufirin ukrainas dhe duke derdhur grurë nga vagonët e ardhur ukrainas në shinat hekurudhore.
“E gjithë bota pa hedhjen flagrante nga kamionët dhe makinat hekurudhore në rrugët polake. Kjo është gruri që fermerët dhe fshatarët tanë e kultivojnë me shumë vështirësi, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë e shkaktuara nga agresioni brutal i Rusisë”, tha Zelenskyy.
Ai shtoi se Ukraina kërkon të zgjidhë situatën në një mënyrë “të përbashkët dhe të drejtë”, me një qasje “plotësisht pragmatike”.
Zelenskyy gjithashtu tha se ata janë dëshmitarë të “politizimit të tepruar dhe të padrejtë” që kërcënon arritjet e përbashkëta midis Ukrainës dhe BE-së.
Presidenti ukrainas gjithashtu kërkoi nga homologu i tij polak, Andrzej Duda, që të mbështesë këtë propozim dialogu, duke theksuar se ka të bëjë me “sigurinë kombëtare” pasi bllokada kërcënon furnizimin me armë për ushtrinë ukrainase. Ai po ashtu tha se bisedimet “nuk duhet të vonohen”, transmeton Anadolu.
Zelenskyy tha se është gati të udhëtojë në kufirin e vendit të ij me Poloninë, duke shtuar se Kievi ka kërkuar që në takim të marrë pjesë edhe një përfaqësues nga Komisioni Evropian.
“Na mjafton prania e Moskës në tokat tona. Na mjaftuan keqkuptimet. Ne nuk duhet të poshtërojmë njëri-tjetrin, nuk duhet të poshtërojmë as fermerët ukrainasë apo polakë. Ne kemi nevojë për unitet. Ne kemi nevojë për zgjidhje, mes nesh, Ukrainës dhe Polonisë dhe në nivelin e të gjithë Evropës”, tha Zelenskyy.























