KEDS: 259 konsumatorë janë zënë duke e keqpërdorur rrymën gjatë janarit
E. Hoti / RTKlive
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se vetëm gjatë muajit janar 2024, 259 konsumatorë janë zënë në flagrancë duke e vjedhur energjinë elektrike.
Sipas tyre, afër 130 mijë euro është shuma që këta konsumatorë janë të obliguar t’ia rikthejnë kompanisë si humbje të shkaktuara në rrjet.
Ndërkaq, vlera totale e kilovatëve që këta konsumatorë e kanë vjedhur gjatë muajit janar është afër një milion e gjysmë.
“Konsumatorët që kapen duke e vjedhur energjinë elektrike, pos obligimit që t’i rikthejë humbjet, dërgohen nga KEDS edhe në gjykatat kompetente. Sepse, vjedhja e energjisë elektrike hyn në kuadër të “Vjedhjes së Shërbimeve”, çka sipas nenit 314 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është e dënueshme deri në tri vjet burg”, thuhet në njoftim .
Në vitin 2023, KEDS ka dorëzuar mbi 2,300 raste në gjykatat e Kosovës.























