Organizohet ‘Java Ndërkombëtare të Parasë’
E. Hoti / RTKlive
Shoqata e Bankave të Kosovës me mbështetjen e bankave komerciale do të organizojë edicionin e 12-të të Javës Ndërkombëtare të Parasë.
"Duke pasur parasysh rëndësinë e edukimit financiar në moshë të hershme, SHBK është e përkushtuar në zhvillimin e aktiviteteve argëtuese dhe të përshtatshme për fëmijët e nivelit fillor", thuhet në njoftim.
Java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë vjetore globale ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e edukimit të hershëm financiar, familjarizimin me konceptet bazike financiare dhe rëndësinë e të kursyerit.
Këtë vit Java e Ndërkombëtare e Parasë shënohet nga 18 deri më 24 mars.
“Departamenti i Komunikimit dhe Marketingut të SHBK-së ka përgatitur prezantime dhe diskutime lidhur me paratë dhe kursimet, materiale edukative, lojëra, dhurata dhe aktivitete të tjera me qëllim të edukimit financiar të fëmijëve në moshë të hershme”, njofton SHBK.
Java Ndërkombëtare e Parasë për vitin 2024 do të organizohet në tre qytete të Kosovës: Podujevë, Lipjan dhe Vushtrri, me fëmijë nga klasat 1 deri në 5 të ciklit fillor.























