Ramosaj: Rregullorja e BQK-së me kuptim krejtësisht juridik dhe shtetëror
E. Hoti / RTKlive
Blerim Ramosaj, profesor i ekonomisë ka folur sot në “Info Plus” të RTK-së për takimin e fundit në Bruksel ku bisedua edhe për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës dhe shqetësimet e fundit rreth saj. Ai ka thënë se kjo rregullore ka prodhuar disa efekte që nuk janë krejtësisht të natyrës juridike.
“Kjo si rregullore dhe si vendim e ka kuptimin krejtësisht juridik shtetëror dhe më vjen mirë që nuk kundërshtohet as nga partnerët ndërkombëtarë për të drejtën që kemi pasur qoftë si BQK, qoftë si qeveri e Kosovës për një vendim të tillë”, deklaroi Ramosaj.
Sipas tij, kjo rregullore ka prodhuar disa efekte që nuk janë krejtësisht të natyrës juridike. “Prodhon edhe efekte të natyrës ekonomike, sociale, disa thonë edhe elemente humanitare. Kjo varet edhe prej perceptimeve që ka ndërtuar opinioni kosovar, pozita, opozita, qoftë perceptimet që vijnë tek ne nga partnerët ndërkombëtarë. Meqenëse ka sekuenca ky vendim i marrë mendoj që duhet të shikohet mundësia që ato sekuenca qytetarët e Kosovës mos t’i prekin në kuptimin negativ, por faktikisht ta shfrytëzojnë si të drejt”, tha Ramosaj.
Ramosaj thotë se padyshim që çdo refleksion që e ka sjellë ky vendim pala serbe e shohin nën prizmin e tyre.“Pala serbe padyshim duke u mësuar me një inercion të tillë qoftë të parasë së vet, të rregulloreve të veta, apo programeve në shkolla, padyshim që çdo refleksion që e ka sjellë ky vendim e shohin nën prizmin e vet se kanë mohim të të drejtave. Ky është perceptim i atij grupi që nuk pajtohen me një realitet të ekzistimit të Republikës së Kosovës”, nënvizoi Ramosaj
Nga aspekti i një analize ekonomike, ai është i bindur se edhe për qytetarët serbë për të cilët kishte me funksionua edhe një para e qëndrueshme siç është euro dhe kishte me qenë e artikular mirë në institucionet e formalizuara në kuptimin e transfereve edhe te pagesave, ajo kishte me qenë benefit për ta.























