Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet ndaj dy ndërmarrjeve
BKT
Ekonomi

Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet ndaj dy ndërmarrjeve

E. Hoti / RTKlive

Autoriteti i Konkurrencës ka  filluar  procedurën hetimore ndaj ndërmarrjeve "Devolli CorporationSh.p.k." dhe "Kujtesa Net Sh.p.k." për shitblerjen e aksioneve në treg.

Në njoftimin e Autoritetit thuhet se hetimet kanë nisur “për dyshimet e arsyeshme se ato kanë realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës pa përmbushur detyrimin ligjor për njoftimin e përqendrimit”.

“Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës, në përputhje me dispozitat ligjore të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, ka filluar procedurën hetimore ndaj dy ndërmarrjeve, Devolli CorporationSh.p.k. dhe Kujtesa Net Sh.p.k., për dyshimet e arsyeshme se ato kanë realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës pa përmbushur detyrimin ligjor për njoftimin e përqendrimit”, thuhet në njoftim.

Autoriteti i Konkurrencës njofton se konkluzioni për fillimin e kësaj procedure hetimore është shpallur me datë 20.03.2024 nga Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës.

“Sipas informatave të marra gjatë shqyrtimit paraprak të hetimit nga Autoritetit i Konkurrencës, mbi dyshimet e bazuara se kanë realizuar transaksione të aksioneve në tregun e telekomunikimeve dhe kabllor në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Autoriteti ka vlerësuar se ndërmarrjet në fjalë, Devolli CorporationSh.p.k. dhe Kujtesa Net Sh.p.k., kanë bërë shitblerjen e aksioneve pa paraqitur njoftimin e përqendrimit përkatës sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Bazuar në këtë, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur fillimin e procedurës hetimore ndaj Devolli CorporationSh.p.k. dhe Kujtesa Net Sh.p.k. për shkak të dyshimeve të arsyeshme për realizimin e shitblerjeve të aksioneve në tregun përkatës dhe kërkesën për paraqitjen e dokumenteve specifike të procedurës hetimore, përfshirë marrëveshjen për shitblerjen e aksioneve, transaksionet bankare dhe dokumentacionin e nevojshëm nga ARBK.

Autoriteti i Konkurrencës thotë se vazhdon të monitorojë dhe të hetojë çdo shkelje të mundshme të ligjit që mund të ndikojë në konkurrencën e drejtë në tregun e Kosovës.


MË SHUME NGA Ekonomi