Numri i madh i lëndëve të pazgjidhura në Gjykatë, ankohen bizneset
Pajtim Çuni /Radio Kosova
Gjykata Komerciale po përballet me numër të madh të lëndëve të pazgjidhura dhe numër minimal gjyqtarësh. Përfaqësues të bizneseve e njohës të ekonomisë thonë se kishin pritur efikasitet më të madh nga komercialja. E nga kjo gjykatë thonë se aktualisht një gjyqtar i Dhomave të Shkallës së Parë, është i ngarkuar me rreth 800 lëndë.
Me mbi 9 mijë e 600 lëndë të pazgjidhur në Dhomat e Shkallës së Parë dhe të Dytë e përmbylli muajin shkurt Gjykata Komerciale.
Biznese e përfaqësues të tyre po ankohen se shpresa për zgjidhje më të shpejtë të kontesteve gjyqësore ndërmjet palëve po zbehet nga dita në ditë.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, pranon se ka ankesa nga bizneset për vonesa në trajtimin e lëndëve.
“Ka ankesa nga bizneset aty-këtu, por nuk ka ankesa të mëdha. Te Gjykata Komerciale shpresa ka qenë shumë e madhe që do të jetë shumë më efektive, mirëpo po merr më shumë kohë se që prisnim ne për t’u zgjidhur lëndët në një periudhë më të shkurtër kohore. Por, përsëri kjo gjykatë është më efektive se sa ato që ishin përpara, ku zgjidhja e një lënde ka zgjatë 3-4 vite”, tha ai.
Radio Kosova ka pyetur Gjykatën Komerciale, se si arsyetohen vonesat në trajtimin e lëndëve dhe cilat janë sfidat kryesore të gjykatës? Në një përgjigje me shkrim, kjo gjykatë thotë se vonesat bëhen për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve.
“Numri i lëndëve të cilat i ka trashëguar Gjykata Komerciale nga Gjykatat Themelore dhe ajo e Apelit kapin shifrën rreth 10 mijë, si dhe numri i lëndëve të reja të pranuara në raport me numrin aktual të gjyqtarëve është i pamjaftueshëm në raport me ngarkesën me lëndë. Me gjendjen aktuale, një gjyqtar i Dhomave të Shkallës së Parë është i ngarkuar me rreth 800 lëndë secili. Në të dyja shkallët e Gjykatës janë të angazhuar 18 gjyqtarë, ndërsa bazuar në Ligjin për Gjykatën Komerciale, numrin i gjyqtarëve të cilët duhet të angazhohen është minimumi 20”, kanë thënë nga komercialja në një përgjigje me shkrim.
Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, thotë se që në fillim ishte skeptik për funksionalitetin e komerciales, për çka jep disa arsye.
“Në rend të parë është një institucion i ri, në rend të dytë gjykata përbëhet nga të njëjtit njerëz që kanë qenë në gjykatat e tjera dhe nuk mund të ketë pavarësi. Por, tani kam dëgjuar se është një eksperiment i ri ku duhet të shuhet gjykata komerciale dhe të krijohet një trupë e re që duhet t’i zgjidhë çështjet ekonomike. Besoj se ky është një eksperiment shumë i rrezikshëm që po e dëmton Kosovën ne aspektin ekonomik.
Gjykata Komerciale funksionon që nga 1gushti i vitit 2022.























