Balija: Sektori bankar në Kosovë vazhdon të financojë bizneset vendore
F.Sertolli/ RTKlive
Shoqata e Bankave të Kosovës dhe Oda Tregtare Kosovaro Turke sot kanë nënshkruar një Memorandum të Bashkëpunimit, duke synuar rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në mes të dy institucioneve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeshefi Ekzekutiv i SHBK, Petrit Balija si dhe nga Drejtori Ekzekutiv i OTKT, Meriton Sunduri.
Qëllimi kryesor i këtij Memorandumi është të përforcohet partneriteti mes Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe Odës Tregtare Kosovaro Turke, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit për të krijuar një ambienti sa më të mirë për bizneset dhe investitorët që të mund të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, Balija tha se sektori bankar në Kosovë vazhdon të mbështesë dhe të financojë si bizneset vendore ashtu edhe investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë dhe të krijojnë sa më shumë vende të reja të punës.
Ndërsa Sunduri potencoi se ‘Shoqata e Bankave të Kosovës dhe Oda Tregtare Kosovaro Turke besojnë në potencialin e bashkëpunimit për të sjellë lehtësime për bizneset dhe të provomovimin e zhvillimit ekonomik në vend.’























