Deputetët njoftohen me funksionalizimin e ALPEX-it për ofertim në Kosovë
F.Sertolli| RTKlive
Në cilësinë e përfaqësuesit të të drejtave të aksionarit dhe në kuadër të rolit monitorues, Bordi i Drejtorëve të KOSTT-it, së bashku me Menaxhmentin, priti sot në takim Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala dhe anëtarin e këtij komisioni, Driton Hyseni.
Ndër temat kryesore të takimit ishin gjendja e përgjithshme e sektorit të energjisë, të arriturat kryesore të KOSTT-it, si dhe aktivitetet dhe sfidat kryesore me të cilat KOSTT-i është përballur gjatë viteve të fundit në menaxhimin e krizës energjetike.
Gjatë vizitës anëtarët e komisionit u njoftuan për së afërmi edhe për funksionalizimin e ALPEX zonës së ofertimit në Kosovë, bashkimin e tregut të zonës ofertuese të Kosovës dhe Shqipërisë në bursën e energjisë dhe projekteve strategjike që KOSTT është duke zbatuar, si projekti i ruajtjes së baterive, projekt ky i cili derivon nga marrëveshja ndërkombëtare e aprovuar në Kuvend të Kosovës.
"Anëtarët e komisionit po ashtu vizituan edhe Qendrën Nacionale Dispeçerike në kuadër të KOSTT-it, me ç’rast u njoftuan edhe për rolin e saj në balancimin e sistemit energjetik në kohë reale dhe sfidat e operimit", thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.























