Bislimi takon delegacionin e FMN-së, flasin për zhvillimin ekonomik
Gentiana Kelmendi|RTKlive
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim një delegacion nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, kryesuar nga shefi i ri i këtij misioni për Kosovë, Sebastian Sosa.
Prezent në këtë takim ishte edhe shefi paraprak i FMN-së, Gabriel di Bella.
Siç thuhet në komunikatën e qeverisë, në takim u theksua bashkëpunimi i frytshëm dhe i shkëlqyeshëm me FMN-në dhe vazhdimësia e tij. Nga FMN-ja u vlerësua lartësisht performanca e institucioneve të Kosovës lidhur me reformat e ndërlidhura me marrëveshjet mes Kosovës dhe FMN-së.
“Aktualisht po punohet intensivisht e për së afërmi me institucionet relevante lidhur me projektet në energji, me theks të veçantë ato në energjinë e ripërtërishme. U trajtuan dhe rezultatet pozitive e performanca e Kosovës në indikatorët kryesorë makroekonomikë, ku edhe pritet që trendi të vazhdojë të jetë pozitiv, në krahasim dhe me shtetet e tjera të rajonit”, thuhet në komunikatë.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi delegacionin për bashkëpunimin dhe bisedat gjithmonë të frytshme, duke nënvizuar dhe rëndësinë në vazhdimin e punës në ngritjen e kapaciteteve, të cilat do të reflektojnë në një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
























