Peci: Operatorit i është vendosur masa e ndalesës për eksport-import
F.Sertolli | RTKlive
Janë ngritur dyshime se kompania "Apetit" ka falsifikuar dokumentet duke e shitur mishin nga Brazili si mish të freskët nga Kosova.
Pas këtyre raportimeve, ka reaguar edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, duke bërë me dije se operatorit ekonomik i është vendosur masa e ndalesës për eksport-import.
Ai tha se mbrëmë dhe sot është raportuar për dyshimin e përfshirjes së një operatori ekonomik të prodhimit dhe tregtimit të mishit, dhe mundësisë së përfshirjes së një inspektori të AUV-it në mashtrim e manipulim të dokumenteve zyrtare, ndërsa shtoi se pa dashur të paragjykojnë të vërtetën, si dhe duke u nisur nga parimi i prezumimit të pafajësisë, nuk kanë qëndruar duarkryq, por i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet paraprake institucionale.
Ministri theksoi se inspektori në fjalë është dërguar në komision disiplinor, ndërsa operatorit ekonomik i është vendosur masa e ndalesës për eksport-import. Ai po ashtu tha se për ta vërtetuar dyshimin e ngritur, është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin, gjurmueshmërinë dhe përputhshmërinë e të gjitha hyrje-daljeve të operatorit ekonomik, dhe në rast të konfirmimit të pretendimeve, të gjithë personat e përfshirë, si dhe operatori ekonomik, do të përballen me pasoja ligjore dhe administrative.























