Szunyog: Kosova duhet të punojë nga afër me fqinjët e saj
BKT
Foto:RTK
Ekonomi

Szunyog: Kosova duhet të punojë nga afër me fqinjët e saj

Valjeta Shala/RTK

Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) mban Forumin e Parë të Investimeve të Qëndrueshme, ku po marrin pjesë përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë. Në hapje të këtij forumi u tha se në Kosovë ka klime të përshtatshme për investime.

“Jemi mbledhur këtu për të diskutuar për investimet e qëndrueshme të cilat janë më të nevojshme si asnjëherë më parë, duke u ballafaquar sidomos me sfidat mjedisore dhe ekonomike. Ne si Këshill kemi nderin t’i përkrahim këto iniciativa”, tha Emrush Ujkani, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian.

Luan Dalipi, shef i kabinetit të Kryeministrit tha së si qeveri kanë bërë përmirësime në zhvillimin e investimeve të qëndrueshme .

“Vlerësojmë se si qeveri kemi qenë në gjendje të përforcojmë disa vlera të mira që kanë rezultuar me arritjen e disa caqeve, sikurse luftimi i korrupsionit që janë të rëndësishme për zhvillimin e bizneseve”, tha Dalipi.

Kurse Tomas Szunyog - shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se zhvillimi i  investimeve të qëndrueshme janë të domosdoshëme.“Zhvillimi i investimeve të qëndrueshme janë të domosdoshme. Zbatimi i zhvillimit dhe investimit të qëndrueshëm është diçka e domosdoshme sidomos nga pikëvështrimi i ikjes së trurit. Po shohim gjëra pozitive që po ndodhin në sektorin e energjisë”, tha Szunyog.

Sipas tij, Kosova duhet të punojë nga afër me fqinjët e saj.

“Kosova dhe partnerët e tjerë në rajon mund të kenë dobi të madhe nga plani i zhvillimit. Për Kosovën dhe Serbinë do të ketë disa kushte shtesë, në mënyrë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve. Në këtë drejtim, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve paraqitet shumë në planin zhvillimor. Kështu që inkurajojmë Kosovën që ta heqë ndalimin e produkteve serbe sa më shpejtë që është e mundshme”, ka thënë ai. Për klimën e investimeve, ai ka thënë se nevojitet përkujdesje për investitorët në Kosovë.

Ndërsa theksoi se aksesi në tregun e vetëm të BE-së kalon përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, ambasadori Szunyog bëri thirrje për heqjen e pengesave aktuale.

"Nëntë iniciativa të përgatitura plotësisht në nivel teknik janë të bllokuara në Komitetin e Përbashkët të CEFTA-s. Përzgjedhja e drejtorit të ri të CEFTA-s, e cila filloi mbi një vit më parë, po ecën shumë ngadalë. Përzgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal ka ngecur për vite me radhë – procedura në vazhdim duhet të japë një rezultat të qartë. Të gjitha palët duhet të punojnë në mënyrë konstruktive dhe pragmatike për të arritur rezultate të dobishme reciproke”, tha ai.

Ambasadori gjithashtu vuri në dukje se që integrimi ekonomik rajonal të ketë sukses, Kosova duhet të punojë ngushtë me fqinjët e saj.

"Në këtë drejtim, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve është një komponent kyç i Planit të Rritjes. Prandaj, inkurajoj Kosovën që të heqë ndalimin e mallrave serbe sa më shpejt të jetë e mundur", përfundoi ambasadori Szunyog.

Dita e parë e Forumit për Investime të Qëndrueshme, ka vazhduar edhe me panele diskutimi.


MË SHUME NGA Ekonomi