Kurti çmon raportet me Turqinë: Kanë rrënjët në respekt e bashkëpunim
BKT
Foto: Zenel Hajrizi/RTK
Ekonomi

Kurti çmon raportet me Turqinë: Kanë rrënjët në respekt e bashkëpunim

M. Pasoma / RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri Albin Kurti në Forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, ka çmuar raportin me këtë shet mik, teksa ka shpalosur të arriturat ekonomike të vendit.

Kryeministri Kurti ka theksuar se marrëdhëniet mes dy kombeve kanë rrënjët në respekt të thellë dhe vazhdojnë edhe më tej të krijojnë mundësi të bashkëpunimit.

“Turqia ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, duke treguar marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve. Ky është një testament i angazhimit të Turqisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur rritjen e dyfishtë të investimeve ekonomike, faktin që Kosova ka borxhin publik më të ulët dhe e ka cilësuar vendin të pozicionuar në “zemër të Ballkanit si udhëkryq mes Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut”.

“Ka dhjetëra kompani në Turqi që janë nga Kosova. Duke qenë pjesë e asociacioneve dhe bashkëpunimeve të ndryshme që edhe Kosova ju ofron investitorëve turq”, ka deklaruar ai.

Në fjalimin e tij Kurti ka përmendur Sami Frashërin, shkrimtarin e njohur shqiptar i cili zhvilloi veprimtarinë e tij në Turqi, duke e marrë si referencë për formimin e një klubi futbollistik.

Ministri i Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat, ka theksuar se bashkëpunimi me Kosovën do të vazhdojnë gjatë. Bolat ka thënë se raportet tregtare mes dy vendeve do të rriten, dhe shpreson se do të arrihet në vlerën 1 miliard euro.

“Përparimi tregtar mes Kosovës dhe Turqisë ka vazhduar të kontribuoj për dy vendet. Prandaj Turqia e njeh sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Stabiliteti i Kosovës do të thotë stabilitet i Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Mbahet Forumi Ekonomik Turqi-Kosovë

Zenel Hajrizi/RTK

Në Stamboll të Turqisë sot do të mbahet Forumi i parë ekonomik i bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Para nisjes së forumit, kryeministri Albin Kurti ka takuar ministrin e Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat.

Në këtë forum do të merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe afaristë të shumtë nga Kosova.

Ndërkohë gjatë qëndrimit në Turqi, kryeministri Kurti ka takuar edhe afaristët shqiptarë nga sektorë të ndryshëm që veprojnë atje, të cilëve u bëri thirrje të investojnë në Kosovë.

Kurti ka theksuar se marrëdhënia me Turqinë është e fortë, e gjerë dhe e thellë, marrëdhënie edhe historike edhe kulturore.

“Ne dëshirojmë, që marrëdhëniet e shkëlqyera që i kemi me Republikën e Turqisë, t’i avancojmë edhe më tej në bashkëpunim sidomos në dy fusha: në ekonomi e tregti në njërën anë dhe në mbrojtje e siguri në anën tjetër”, ka theksuar  Kurti.

Duke i njoftuar për progresin e Kosovës, kryeministri ka thënë se katër fusha ku i kemi bërë investimet më të mëdha janë: mbrojtja e siguria, bujqësia, arsimi edhe shëndetësia. Në aspektin e sigurisë ai përmendi ushtarët dhe oficerët e Ushtrisë së Kosovës, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë në Republikën e Turqisë duke u trajnuar në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.

 


MË SHUME NGA Ekonomi