Sylvinho: Shqipëria synon pikë ndaj Italisë në Euro 2024
BKT
Euro 2024

Sylvinho: Shqipëria synon pikë ndaj Italisë në Euro 2024

Uran Krasniqi/RTKLive

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, ka thënë se Shqipëria synon pikë në ndeshjen e kundër Italisë.

Shqipëria të shtunën do ta zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të Grupit B të Euro 2024, aty ku pos gjenden edhe Spanja e Kroacia.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur një ditë para ndeshjes, Sylvinho ka folur për sfidën që e pret ekipin e tij.

“Do të jetë e vështirë ndaj Italisë, pas stërvitjes do të vendosim për formacionin, edhe pse është pothuajse i vendosur formacioni. Ka shumë diferenca mes Italisë së kaluar dhe asaj të tanishme. Por, Italia është një skuadër e nivelit më të lartë, ka lojtarë të shpejtë dhe një trajner të mrekullueshëm. Mancini ka bërë punë të madhe, Spalletti po ashtu. Kanë eksperiencë, janë një ‘top’ skuadër. Kur futen në fushë, e bëjnë për të fituar kompeticionin. Por, edhe ne do të futemi për pikë", ka thënë Sylvinho.

Braziliani ka vënë në dukje aftësinë e Italisë për të ndryshuar sistemin e lojës në varësi të kundërshtarit.

“Me atë që kemi parë, ata mund të përshtaten me sistemin 3-4-3 dhe 4-3-3, mund të ndryshojnë sistemin në varësi të kundërshtarit. Janë të vështirë për t’u thyer. Italia ka një anë të fortë, mbrohet shumë mirë, dhe e mban topin me pozicion të qëndrueshëm. Ka lojtarë që vrapojnë shumë dhe kanë shkathtësi të theksuara. Është një ndeshje e vështirë, por është fantastike," ka shtuar ai.

Sylvinho ka theksuar se çdo gjë mund të ndodhë në një ndeshje futbolli dhe se dëshira e ekipit të tij është të japë maksimumin në fushë.

“Për Italinë, dëshira jonë është të zbresim në fushë dhe të luajmë mirë”, është shprehur trajneri i Kombëtares Shqiptare.