Gjermania e deklason Skocinë në hapje të Euro 2024
Uran Krasniqi/RTKLive
Gjermania ka bërë fillim bindës të Euro 2024. Ndeshja hapëse e kampionatit e zhvilluar në "Allianz Arena" në Munich kundër Skocisë është mbyllur me triumfin e Gjermanisë me rezultat 5-1.
"Pancerët" e kanë treguar fuqinë e tyre që në pjesën e parë, duke shënuar tri gola, ndërsa në pjesën e dytë e kanë ulur intensitetin, por ia kanë dalë t'i shtojnë edhe dy.
Serinë e golave në ndeshje e ka hapur Florian Wirtz në minutën e dhjetë, pas një asistimi të saktë nga Joshua Kimmich. Vetëm nëntë minuta më vonë, Jamal Musiala e ka dyfishuar avantazhin për gjermanët, duke shënuar pas një pasimi nga Kai Havertz.
Në momentet e fundit të pjesës së parë, Gjermania e ka trefishuar avantazhin falë një goli nga pika e bardhë, realizuar nga Havertz. Paraprakisht Skocia kishte mbetur me dhjetë lojtarë në fushë pas ndëshkimit me karton të kuq të Porteous.
Në pjesën e dytë, Gjermania ka vazhduar ta kontrollojë lojën, duke shënuar edhe golin e katërt me anë të Fullkrug në minutën e gjashtëdhjetë e tetë.
"Pancerët" nuk janë ndalur as pas epërsisë së thellë. Në kohën shtesë Can e ka shënuar edhe golin e pestë.
Golin e nderit për skocezët e ka shënuar një gjerman. Ka qenë minuta e tetëdhjetë e shtatë kur Rudiger ka realizuar autogol, duke sjellë gëzim tek tifozët skocezë të pranishëm në stadium.

Gjermania e mbyllë pjesën e parë me epërsi të thellë
Për një pjesëlojë Angus Gunn e ka nxjerrë topin tri herë nga rrjeta.
Gjermania e ka mbyllur me avantazh të trefishtë pjesën e parë të ndeshjes kundër Skocisë në kuadër të Euro 2024.
Ka qenë Wirtz ai që e ka hapur serinë e golave në minutën e dhjetë të ndeshjes pas një asistimi të saktë nga Joshua Kimmich.
Vetëm nëntë minuta më vonë, Jamal Musiala e ka dyfishuar avantazhin për gjermanët, duke shënuar pas një pasimi të shkëlqyer nga Kai Havertz.
Goli i tretë ka ardhur në momentet e fundit të pjesëlojës së parë, Kur Havertz është treguar i saktë nga pika e bardhë. Paraprakisht Skocia ka mbetur me dhjetë lojtarë në fushë, pasi Porteous është ndëshkuar me karton të kuq.

Me ndeshjen Gjermani - Skoci nis Euro2024
Ka nisur Euro 2024 me ndeshjen Gjermani - Skoci.
Paraprakisht është zhvilluar një ceremoni ku është nderuar legjenda e ndjerë e futbollit gjerman, Franz Beckenbauer.
Gjithashtu nuk ka munguar edhe aspekti artistik, ku ka performuar
grupi italian i muzikës hause “Meduza”, derisa në skenë është ngjitur këngëtari i grupi “One Republic”, Rajan Teder së bashku me këngëtaren gjermane Leoni. Artistët kanë bashkëpunuar për të krijuar këngën “Fire”, e cila është kolona zanore e Evropianit.
Gjermania - Skocia, formacionet
Gjermania dhe Skocia përballen sonte në ndeshjen hapëse të Euro 2024. Tashmë janë publikuar edhe formacionet zyrtare të ndeshjes së rivalëve të Grupit A, ku janë edhe Hungaria e Zvicra.























