Golat e Lukaku s`llogariten, Sllovakia mposht Belgjikën
BKT
Euro 2024

Golat e Lukaku s`llogariten, Sllovakia mposht Belgjikën

Uran Krasniqi / RTKLive

Romelu Lukaku ka shënuar dy herë për Belgjikën të hënën, por asnjëri nga golat nuk është llogaritur.

Kësisoji Sllovakia ia ka arritur ta mposhtë Belgjikën. 

Ndeshja e xhiros së parë të Grupit E, e zhvilluar në "Deutsche Bank Park", është mbyllur me rezultat 1-0. 

Pavarësisht dominimit të Belgjikës gjatë pjesës së parë, goli i vetëm i kësaj pjese loje është shënuar nga Sllovakia. Në minutën e shtatë, Ivan Schranz ka realizuar golin e vetëm të ndeshjes, duke kaluar skuadrën e tij në avantazh.

Në pjesën e dytë, Belgjika ka bërë përpjekje të shumta për të barazuar rezultatin. Romelu Lukaku ia ka dalë ta dërgonjë topin në rrjetë dy herë, por VAR ka ndërhyrë në të dy rastet. Në rastin e parë, goli është anuluar për shkak të pozicionit jashtë loje, ndërsa në rastin e dytë është konstatuar se një nga futbollistët belg kishte luajtur me dorë.

Në një ndeshje tjetër të zhvilluar më herët gjatë ditës në Grupin E, Rumania ka mposhtur Ukrainën me rezultatin 3-0.

Sllovakia në avantazh kundër Belgjikës

Sllovakia ka befasuar Belgjikën në ndeshjen e xhiros së parë të Grupit E, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazh 1-0.

Goli i vetëm i kësaj pjese loje është shënuar nga Schranz në minutën e shtatë të ndeshjes. 

Pavarësisht përpjekjeve Belgjika nuk ka mundur të gjejë rrugën e rrjetës në pjesën e parë. Megjithatë në dispozicion për të provuar ndryshimin e rezultatit është edhe pjesa e dytë.