Kryeministri Kurti viziton Portin e Hamburgut
BKT
Ekonomi

Kryeministri Kurti viziton Portin e Hamburgut

SH.Ç/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ndodhet në Hamburg për të vizituar portin e këtij qyteti, me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Qeveria ka njoftuar se vizita ka për qëllim shqyrtimin nga afër të Sistemit të Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në portin e Hamburgut.

"Kjo vizitë është pjesë e punës së vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për të forcuar sigurinë në kufi për të parandaluar kontrabandën dhe kërcënimet që vijnë nga jashtë. Një sistem i lëvizshëm skanimi me rreze X ndihmon në monitorimin e kamionëve të mëdhenj që kalojnë kufirin, duke garantuar kështu një nivel më të lartë të sigurisë pa penguar tregtinë", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Gjermania ka shprehur dëshirën për të mbështetur Kosovën në përmirësimin e sigurisë. Kryeministri bisedoi me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë, Manuel Sarrazin për kushtet në të cilat qeveria gjermane mund të na sigurojë një skaner të tillë.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë gjermane duke përfshirë fushën e sigurinë.

"Jemi të interesuar që të kemi tregti të sigurt andaj siguria në Kosovë nënkupton sigurinë e kufijve dhe sot në këtë vizitë po shohim se cilat janë edhe kushtet me të cilët qeveria gjermane do të ishte dakord që të na pajiste edhe neve me një skaner të këtillë me rreze X ashtu që të rritet siguria në kufijtë e Kosovës sa i përket mallrave që na hyjnë dhe gjithashtu të bëhemi pjesë e Evropës sa i përket mbikëqyrjes së kufijve dhe tregtisë së sigurt.

E falënderoj edhe një herë z. Sarrazin për këtë mundësi në portin e Hamburgut ku bëhet kontrolli kulmor i mallrave sa i përket sigurisë", ka deklaruar kryeministri Kurti.


MË SHUME NGA Ekonomi