Belgjika fiton kundër Rumanisë, xhiro e tretë përcaktuese në Grupin E
BKT
Euro 2024

Belgjika fiton kundër Rumanisë, xhiro e tretë përcaktuese në Grupin E

B. H. | RTKlive

(Plotësuar) Belgjika ka shënuar fitoren e parë në Euro 2024, teksa të shtunën në mbrëmje në Këln, e ka mposhtur Rumaninë, me rezultat 2:0.

Fillimi i shkëlqyer i belgëve u kurorëzua me një gol të shpejtë nga Youri Tielemans, i cili realizoi pas një asistimi nga Romelu Lukaku pas vetëm 73 sekondash lojë. Ky ishte goli i tretë më i shpejtë në historinë e Kampionatit Evropian. Vetëm Nedim Bajrami (23 sekonda në Euro 2024) dhe Dmitri Kirichenko (67 sekonda në Euro 2004) kanë shënuar gola më të shpejt.

Pjesa e parë përfundoi me epërsinë 1:0 për Belgjikën, që e kontrolloi lojën në vazhdimësi dhe e menaxhoi mirë avantazhin e hershëm.

Në minutën e 63-të të ndeshjes, Lukaku shënoi, por pas rishikimit të VAR-it, goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Megjithatë, Belgjika nuk u dorëzua dhe vazhdoi të sulmonte. Dhe në minutën e 80-të, Kevin De Bruyne vulosi fitoren për skuadrën e tij me një gol të shkëlqyer. Pas një goditjeje të gjatë nga portieri Casteels, topi përfundoi te De Bruyne, i cili realizoi me një goditje të saktë nga brendësia e zonës, duke çuar topin përtej portierit rumun, Niță. Belgjika pati edhe disa mundësi tjera shënimi, por në anën tjetër edhe rumunët patën disa raste të mira, por nuk u treguan efikas.

Me këtë fitore, Belgjika siguroi tri pikë të rëndësishme në Grupin E, ku edhe tri skuadrat tjera Ukraina, Rumania dhe Sllovakia kanë po ashtu nga 3 pikë. Në ndeshjet e xhiros së tretë, të cilat do të jenë përcaktuese, Belgjika luan kundër Ukrainës, derisa Rumania kundër Sllovakisë.