Hungaria e kthen Skocinë në shtëpi, e mposht me gol të minutës së 100-të
BKT
Euro 2024

Hungaria e kthen Skocinë në shtëpi, e mposht me gol të minutës së 100-të

B. H. | RTKlive

Golin e fitores për Hungarinë e ka shënuar Kevin Csoboth në minutën e 10-të të kohës shtesë, pas një kundërsulmi të shpejtë, për ta vulosur fitoren e skuadrës së tij, 1:0.

Kësisoj, hungarezët arritën të marrin tre pikët e para në xhiron e fundit të Grupit A dhe mbesin ende me shpresa për kualifikim në fazën e ardhshme, por tashmë fati i tyre varet nga ndeshjet e grupeve të tjera.

Që në fillim trajneri i Hungarisë, Marco Rossi ua lejoi qarkullimin e topit skocezëve, duke e ditur se loja në tokë nuk është pika më e fortë e tyre. Si rrjedhojë skocezët gjatë 45 minutave të parë nuk kanë arritur të dërgojnë asnjë gjuajtje në portën e kundërshtarit.

Nga ana tjetër, Hungaria pati disa raste përmes kundërsulmeve, teksa rastin më të mirë e shpërdoroi Orban në minutën e 40-të, duke goditur traversën nga afërsia.

As në pjesën e dytë gjërat nuk ndryshuan shumë. Ajo që mori vëmendjen e të gjithëve dhe shkaktoi panik dhe shqetësim ishte lëndimi i Vargës, i cili mbeti i shtrirë në fushë për disa minuta dhe u largua me barrelë pas një përplasjeje me Gana.

Pikërisht për këtë shkak ndeshja u zgjat për dhjetë minuta. E në momentet kur skocezët ishin vërsulur me të gjitha forcat për të gjetur golin që do t’ua siguronte kualifikimin, ndodhi ndëshkimi në anën tjetër, kur Csoboth finalizoi me sukses asistimin e Sallait.