Italia barazon në frymën e fundit me Kroacinë, siguron kualifikimin tutje
B. H. | RTKlive
Kampioni në fuqi i Evropës, Italia e ka siguruar kualifikimin në 1/8 e finales në Euro 2024, pasi ka barazuar me Kroacinë në ndeshjen e fundit të Grupit B, me rezultat 1:1.
Golin e barazimit dhe të kualifikimit për Italinë e shënoi Mattia Zaccagni, në minutën e shtatë shtesë. Kroatët kishin kaluar në epërsi në minutën e 55-të, me golin e Luka Modriq.
Pas këtij barazimi Italia kalon në mesin e 16 skuadrave më të mira, derisa Kroacia mbetet në pozitën e tretë, me 2 pikë dhe duhet të presë rrjedhën e ndeshjeve të grupeve tjera. Megjithatë, aktualisht gjasat që kroatët të kualifikohen në 1/8 e finales si njëra nga katër skuadrat më të mira të vendeve të treta janë tejet të vogla.
Në fakt, të martën Anglia duhet të fitojë ndaj Sllovenisë me tre gola epërsi, si dhe Danimarka ta mposhtë Serbinë. Përveç kësaj, kroatëve u duhet edhe fitorja e Turqisë ndaj Çekisë si dhe e Portugalisë ndaj Gjeorgjisë.























