Fondi për Efiçiencë të Energjisë shtyn afatin për dorëzimin e listave
M.P. / RTKlive
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë njofton institucionet përgjegjëse për krijimin e bazës së të dhënave se ka shtyrë afatin për dorëzimin e listave sipas kërkesave të specifikuara në formularin e raportimit deri më 12 korrik 2024.
Ky afat shtesë vjen si pasojë se disa institucione (qendrore dhe lokale) ose nuk kanë raportuar fare ose nuk kanë raportuar sipas specifikave të nevojshme, e që sipas dakordimeve në takimin e mbajtur më 23 maj 2024 është dashur që ky proces të përfundojë deri më 28 qershor.
“Raportimi i pasaktë dhe jo i plotë apo duke mos respektuar kërkesat sipas formularit, nënkupton se institucioni respektiv apo objekti konkret për të cilin mungojnë informatat, nuk do të kualifikohet për procedim të mëtutjeshëm dhe do të lihet jashtë listës për përfitim eventual të investimit nga FKEE. Mos-raportimi deri më datë 12 korrik 2024 nënkupton që institucioni apo komuna respektive nuk dëshiron të marrë pjesë në projektin për investime në objekte publike, dhe për rrjedhojë do të largohet nga lista e përfituesve të mundshëm për këtë projekt”, thuhet në njoftimin e FKEE-së.
Ky mekanizëm i ka bërë thirrje komunave dhe institucioneve tjera publike në nivel lokal dhe qendror, që ta përfundojnë procesin e raportimit të saktë dhe në kohë.























