“CorrWatch” akuzon Ministrinë e Financave për mostransparencë
BKT
Ekonomi

“CorrWatch” akuzon Ministrinë e Financave për mostransparencë

Iniciativa “CorrWatch”, konsorcium i organizatave të shoqërisë civile (GLPS, GAP dhe INDEP), ka shprehur shqetësim të thellë për `mbylljen` e Ministrisë së Financave, Punës, Transfereve dhe mungesën e transparencës në procesin e rekrutimit  për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore (ATK) dhe pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri.

“CorrWatch” ka theksuar se kanë bërë kërkesa për monitorimin e këtyre dy pozitave për të gjitha fazat e procesit, dhe ato janë pranuar nga Ministria. Por iniciativa e shoqërive civile ka thënë se më pas nuk janë ftuar për monitorim.  

“Në rastin e ATK-së, ‘CorrWatch’, ka kërkuar që t’i mundësohet rishikimi i aplikacioneve të kandidatëve por ministria ka ofruar qasje vetëm në një raport bazik të tyre, dhe nuk ka lejuar qasjen në dosjet e kandidatëve. Ndërsa sa i përket pozitës së Sekretarit të përgjithshëm në MFPT, ‘CorrWatch’ nuk është ftuar për t’a monitoruar procesin”, thuhet në reagim.

Një praktikë e tillë, siç thuhet në reagim, rrezikon që këto procese të mbyllura të jenë subjekt i ndikimeve politike dhe personale, “duke minuar kështu besimin e qytetarëve në institucionet publike”.

“Kufizimi i qasjes dhe monitorimit të shoqërisë civile cënon thellësisht transparencën dhe llogaridhënien e këtyre proceseve të rëndësishme. Përfshirja e shoqërise civile mbetet jetike duke i kontribuar kështu parimeve kryesore te rekrutimit në institucionet publike”, thuhet në reagim.

“CorrWatch” ka bërë thirrje për qasje të hapur dhe të drejtë, ku monitorimi nga shoqëria civile të jetë i plotë dhe gjithëpërfshirës në të gjitha fazat e procesit të rekrutimit.


MË SHUME NGA Ekonomi