Ismaili takon shefin e ri të FMN-së për Kosovë, koordinohen për bashkëpunim
BKT
Ekonomi

Ismaili takon shefin e ri të FMN-së për Kosovë, koordinohen për bashkëpunim

M.Sh/RTKlive

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili priti në takim shefin e ri të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, David Amaglobeli me të cilin diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet BQK-së dhe FMN-së.

Guvernatori Ismaili e informoi Amaglobelin për zhvillimet në sektorin financiar dhe ecuritë ekonomike, zbatimin e planit strategjik, funksionalizimin e strukturës së re organizative dhe reformat e tjera në BQK me qëllim të ngritjes së kapaciteteve.

Gjithashtu, Ismaili informoi shefin e ri të FMN-së për Kosovës për përmbushjen e rekomandimeve që dalin nga dy programet e FMN-së: Stand-By Arrangement (SBA) dhe Resilience and Sustainability Facility (RSF), si dhe rekomandimet e asistencave teknike.

Gjatë takimit, shefi i Misionit të FMN-së u informua për angazhimin e BQK-së për reformat legjislative, digjitalizimin, angazhimet për anëtarësim në SEPA, avancimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe agjendën e gjelbër, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Në vijim, Amaglobeli siguroi Ismailin për mbështetjen e FMN-së ndaj BQK- së për reformat e ndërmarra dhe nismat e tjera në funksion të avancimit të sistemit financiar në vend.

Të dy palët u zotuan se bashkëpunimi do të vazhdojë dhe do të avancohet më tej për arritjen e rezultateve të tjera në funksion të qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Kujtojmë se Amaglobeli ka punuar në disa vende dhe misione të ndryshme të FMN-së, si dhe në pozitën e Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorit në Bankën Qendrore të Gjeorgjisë, ku ka drejtuar reformat e rëndësishme institucionale.


MË SHUME NGA Ekonomi