Panxha: Festivali i gastronomisë, festival i tri gjeneratave
K. K. / RTKlive
Sonte, me fillim nga ora 18:00 në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë hapet Festivali i Gastronomisë, edicioni i katërt, i cili do të zgjasë deri më 9 gusht, me ushqime të ndryshme nga shefat e kuzhinave shqiptare, me gatime të shijshme dhe me muzikë.
Organizatori Astrit Panxha theksoi se këtë festival e quajnë festival të tri gjeneratave.
“Në kuadër të këtij festivali, Soni Malaj do të rikthehet me një koncert të veçantë. Po ashtu, kemi kuzhinierë nga restoranti nga kulinaria japoneze për degustim”, tha Astrit Panxha në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
Ai bëri me dije se sivjet ka pjesëmarrës edhe nga kuzhinat ndërkombëtare. “Sivjet e kemi të pranishme edhe kuzhinën ndërkombëtare, italiane, japoneze, turke. Kuzhina turke do të përcillet edhe me muzikë turke nga bende nga Turqia, derisa kuzhinierët do të vijnë nga Gazientepi”, tregoi Panxha.
Ai tutje bëri të ditur edhe pjesëmarrësit tjerë. "Festivali nis sonte me Soni Malaj, pastaj me Energy band, Vesa Luma, Irma dhe Eranda Libohova, Anxhela Persiteri, Bujar Qamil, pastaj kemi rock grup, por edhe Shkurte Fejzën. Një balancë mes muzikës zbavitëse, qytetare dhe rok”, shtoi ai.























