Forumi Kosovë-Greqi, angazhim për prosperitet ekonomik |VIDEO
Valjete Shala|RTK
Ministria e Industrisë ka mbajtur Forumin Ekonomik Kosovë-Greqi. Përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve nga Kosova dhe Greqia, ishin pjesë e këtij forumi me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Kosova dhe Greqia së bashku mund të zhvillojnë potencial të madh ekonomik. Kurse Forumi Ekonomik mes Kosovës dhe Greqisë përfaqëson një angazhim të përbashkët për përparim, stabilitet dhe prosperitet ekonomik. Kështu tha ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, në hapjen e Forumit Ekonomik në mes dy vendeve.
“Me bashkëpunimin e mirëfilltë mes partnerëve dhe punes dhe dedikimit të përbashkët ndihem e inspiruar të ndajë me ju vizionin i cili na bashkon. Vetëm duke punuar së bashku ne mund të zhbllokojmë potencialin ekonomik dhe të premtuar mes Kosovës dhe Greqisë. Bashkëpunimi është i mundur dhe ai po ndodhë”, tha Hajdari.
Pjesëmarrjes në forum ishte zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Kostas Fragagiannis. Ai tha se është shumë falënderues për mundësitë e bashkëpunimit me Kosovën.
“Bashkëpunimi intensiv që nga vitet e mëhershme nuk do të mund të zhvillohej pa marrëdhëniet të qëndrueshme të ndërtuara në besim dhe bashkëpunim ndërmjet prodhuesve, tregtarëve dhe investitorëve. Sot në këtë forum të rëndësishëm jemi mbledhur bashkë për të konfirmuar dhe forcuar këtë bashkëpunim ekonomik”, tha Fragagiannis.
Gjatë forumit u nënshkrua edhe memorandum mirëkuptimi ndërmjet Odave të Kosovës dhe Greqisë. Po ashtu në kuadër të këtij Forumi, u mbajtën edhe sesione, takime dhe vizita nëpër parqe të bizneseve në Kosovë.























