Tryeza e BFG-së: Dokumenti është finalizuar, komunikimi ka ngecur
Valjeta Shala / RTK
Balkan Green Foundation (BFG), si pjesë e grupit punues për hartimin e PKEK, në bashkëpunim me zyrtarët përgjegjës nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Ministria e Ekonomisë (ME), organizoi tryezën që të diskutojë Politikat dhe Masat e propozuara në PKEK, si dhe rrugën para, derisa dokumenti të miratohet.
“Qeveria e Kosovës miratoi Strategjinë e për Energjinë për periudhën 2022-2031 që përcakton caqet strategjike afatgjata për efiçiencën e energjisë, energjinë e ripërtërishme dhe emetimin e gazrave serrë. Që nga qershori i këtij viti, kur edhe është finalizuar dokumenti, komunikimi ka ngecur. Andaj jemi mbledhur këtu për të kuptu se ku është procesi tani. Të njoftohemi për hapat tutje për finalizimin e dokumentit. Cila është lista përfundimtare e politikave dhe masave”, tha Rinora Gojani, menaxhere e Programeve dhe Operacioneve në BGF.
Abdullah Pirçe, zv/drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave, prezantoi politikat dhe masat mjedisore që janë paraparë në kuadër të Ministrisë së Mjedisit.
“Gjatë përgatitjes së këtij dokumenti janë përgatitur dy skenarë: skenari me masa ekzistuese dhe skenari me masa shtesë. Në asnjë skenar nuk është tejkaluar vlera prej 16.3-përqindësh të reduktimit të misioneve të gazrave serrë për të cilin jemi zotuar”, tha ai.
“Dokumenti i ka 5 dimensione, e cila i ka 70 politika dhe masa. Dekabronizimi i ka 22 politka dhe masa prej të cilave 12 bien në fushën e energjisë”, tha Arbëresha Isufi, u. d. udhëheqëse e Divizionit për Planifikim Strategjik dhe Bashkëpunim Rajonal nga Ministria e Ekonomisë.
Në planin për energjinë rekomandimet u dhanë edhe nga OJQ-të, si pjesë e grupit punues për hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë – PKEK.
Paneli u organizua nga Balkan Green Foundation në kuadër të projektit ‘Dekarbonizimi për rezistencë klimatike’ financuar nga Smart Balkans.























