Rafuna: Largimi nga CEFTA do të ishte humbje e madhe
BKT
Ekonomi

Rafuna: Largimi nga CEFTA do të ishte humbje e madhe

E. Hoti / RTKlive

Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka thënë se nuk kanë asnjë informatë zyrtare lidhur me sinjalet nga emisari gjerman, Manuel Sarrazin gjatë vizitës në Prishtinë rreth mundësisë së mbetjes së Kosovës jashtë Procesit të Berlinit dhe pezullimit nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë CEFTA.

“Sa i përket marrëveshjes CEFTA-s, ne ende nuk kemi zyrtarisht ndonjë informatë. vetëm sa kemi pasur mundësi të marrim informata prej medieve. Kërkesa jonë si Odë Ekonomike dhe e anëtarëve të saj ka qenë që të investohet shumë dhe të gjendet një zgjidhje dhe të mos kemi ndonjë pasojë për shkak të pezullimit të pjesëmarrjes tonë në marrëveshjen e CEFTA-s për arsye se dëmet do të ishin shumë të mëdha”, tha Rafuna.

Sipas tij, Kosova si një shtet i ri, ka nevojë që produktet e saj të plasohen jo vetëm në tregun rajonal, por edhe në tregun e Bashkimit Evropian.

“Marrëveshja e CEFTA-s, por edhe ajo e Stabilizim Asocimit kanë qenë shumë të mirëseardhura për prodhuesit tanë që të kenë mundësi që produktet e tyre me çmim sa më të ulët t’i ekspozojnë në tregjet ku konkurrenca është shumë e fortë”, shtoi ai.

Ai tha se në qoftë se Kosova largohet nga CEFTA do të ishte një sfidë e papërballueshme  për vendin.

“Në qoftë se neve na pezullojnë prej CEFTA-s, atëherë me automatizëm do të na vendosej tatimi doganor dhe produktet tona do ta kenë të pamundur që të plasohen në tregjet rajonale sepse do të jenë më të shtrenjta se prodhimet vendore dhe më të shtrenjta se sa produktet tjera që importohen në ato vende”, nënvizoi ai.

Rafuna ka thënë se ky treg është fituar me shumë mund nga ana e prodhuesve dhe sektorit privat, dhe atë do ta humbin në rast të pezullimit apo largimit nga marrëveshja e CEFTA-s.

“Qeveria e Kosovës është dashur që të jetë shumë aktive që me qeveritë e rajonit të luftojë që ato pak pengesa administrative dhe jo administrative të cilat i janë vendosur produkteve tona t’i eliminojë, në mënyrë që ato sa më lehtë të dalin në tregun e tyre. Prej vlerës totale 800 milionë euro sa eksportojmë, vetëm në tregun rajonal e kemi vlerën 300 milionë dhe kjo do të ishte një humbje shumë e madhe”, tha Rafuna.  

Ai tha se për prodhuesit e Kosovës tregu primar është ai rajonal e më pas ai evropian. “Do të ishte një humbje e madhe pezullimi nga CEFTA dhe ne lutemi që të mos ndodhë. Kjo do të kishte efekt shumë të madh negativ edhe të investimet e huaja kualitative”, ka shtuar ai.


MË SHUME NGA Ekonomi