Hykolli zhvilloi takim me përfaqësues të Drejtorisë për Fqinjësi e Zgjerim
E.H|RTKlive
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) Atdhe Hykolli, sot zhvilloi një takim thelbësor me përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Zgjerimin - DG NEAR të Komisionit Evropian, dhe me përfaqësuesit e Konfederatës Evropiane të Sindikatave (ETUC).
BSPK njofton se diskutimi u përqendrua në përmirësimin e të drejtave të punëtorëve, me fokus të veçantë në ekonominë informale dhe të zezë, sidomos në sektorin privat, si dhe në kushtet e punës në ndërmarrjet strategjike si Trepça dhe Elektroekonomia e Kosovës.
Hykolli theksoi nevojën për përmirësimin e kushteve të punëtorëve, duke adresuar çështje kritike si ekonomia informale dhe ndikimi i saj negativ në të drejtat e punëtorëve në sektorin privat.
Kryetari Hykolli nënvizoi se informaliteti krijon pasiguri të punësimit dhe mungesë të mbrojtjes ligjore, dhe theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë me autoritetet për të luftuar këtë fenomen dhe për të siguruar zbatimin e standardeve të punës së denjë.
Gjithashtu, ai ngriti shqetësimin për moskonstituimin e Këshillit Ekonomiko-Social, mosnënshkrimin e kontratës së përgjithshme kolektive, mungesën e dialogut të mirëfilltë social, dhe pengesat në organizimin sindikal për shkak të e-Kosovës.
Hykolli adresoi sfidat me të cilat ballafaqohen punëtorët në ndërmarrjet kryesore shtetërore si Trepça dhe Elektroekonomia e Kosovës. Diskutimet u përqendruan në përmirësimin e kushteve të punës, përfshirë sigurinë në vendin e punës dhe zbatimin e pagesave të rregullta, me theks në nevojën për investime dhe përmirësime të menjëhershme për mbrojtjen e punëtorëve dhe rritjen e standardeve të punës.
“Përfaqësuesit e DG NEAR dhe ETUC shprehën interesin e tyre të fortë dhe mbështetjen për reformat që synojnë luftimin e ekonomisë informale dhe përmirësimin e kushteve të punës, duke theksuar se integrimi i Kosovës në strukturat evropiane kërkon një qasje të fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Zëri i ETUC është dëgjuar në Evropë dhe synohet që Kosova të jetë pjesë e këtij rrjeti evropian. Ata nënvizuan rëndësinë e fuqizimit të Këshillit Ekonomiko-Social si një platformë të rëndësisë së veçantë për dialog të qëndrueshëm ndërmjet qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve”, njofton BSPK.
Në përfundim, palët u pajtuan për nevojën e vazhdimit të dialogut social dhe krijimin e një strategjie të përbashkët për të luftuar ekonominë informale dhe të zezë, duke promovuar standardet e punës së denjë dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për të gjithë punëtorët e Kosovës.























