Xhafa: Në `Agrokos` presim të kemi mbi dymbëdhjetë mijë vizitorë
BKT
Ekonomi

Xhafa: Në `Agrokos` presim të kemi mbi dymbëdhjetë mijë vizitorë

K. K. / RTKlive

Sot është hapur edicioni i 24-t i Panairit Ndërkombëtar “Agrokos”, i cili do të vazhdojë edhe nesër.

Ky panair mbulon sektorin e agrobiznesit, ushqimit dhe pijeve. Bekim Xhafa, udhëheqës i kompanisë organizative të panaireve, tha se duke u bazuar në përbërjen e kompanive dhe cilësinë e tyre, pritshmëritë janë që ky panair të ketë mbi dymbëdhjetë mijë vizitorë.

Xhafa në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, bëri me dije se në këtë panair marrin pjesë mbi 150 ekspozues vendorë si dhe nga regjioni i Ballkanit.

“Do të hapet me një pjesëmarrje të kënaqshme në nivel regjional, përfshirë shtetet e regjionit: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën dhe Kosovën. Sivjet e kemi edhe një pavijon jashtë regjionit, pavijonin italian, kurse pjesa tjetër janë kompani individuale që vijnë nga Turqia dhe vendet e tjera, me një numër total të ekspozuesve deri në 150”, pohoi ai.

Sipas tij, me interes është edhe pjesëmarrja e gjeneratave të reja.

“Gjeneratat e reja vijnë të njoftohen me ‘Agrokos’-in për disa arsye. Ata kanë nevojë të punësohen ose të krijojnë bizneset e tyre. Ne ua ofrojmë një mundësi të mirë gjeneratave të klasave VIII-IX që të vijnë t’i vizitojnë kompanitë dhe të njoftohen me to”, tha tutje Xhafa.


MË SHUME NGA Ekonomi