Delegacioni i BQK-së u takua me përfaqësuesit e Bankës Botërore
BKT
Ekonomi

Delegacioni i BQK-së u takua me përfaqësuesit e Bankës Botërore

M.M. /RTKlive

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës , kryesuar nga Guvernatori, Ahmet Ismaili, gjatë vizitës në Washington D.C., u takua me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore,  Xiaoqing Yu dhe drejtuesit e lartë,  Pesme,  Natarajan, menaxherin për Kosovë,  Paolucci me bashkëpunëtorët e tyre.

Në një njoftim për medie bëhet e ditur se në takim biseda u fokusua në shqyrtimin e mundësive për funksionalizimin e infrastrukturës teknike të nevojshme për qasjen në sistemin e pagesave të shpejta të BE-së, duke u mbështetur në praktikat më të mira të aplikuara nga bankat qendrore të Eurosistemit.

Gjithashtu, u diskutuan opsionet e financimit dhe zhvillimit të infrastrukturës së sistemit të pagesave për të lehtësuar pagesat e shpejta vendore dhe ndërkufitare.

“Në këtë takim morën pjesë edhe guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e Bankës Qendrore të Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe ekipi teknik i Bankës Botërore që mbështet shtetet e Ballkanit Perëndimor në projektin rajonal për modernizimin e sistemit të pagesave dhe aplikimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Palët u dakorduan për bashkëpunim të ngushtë teknik me qëllim funksionalizimin e infrastrukturës teknike që mbështet qasjen në SEPA dhe integrimin në sistemet e pagesave të Bashkimit Evropian, si synim përfundimtar i përbashkët”, thuhet në njoftim

Tutje, guvernatori Ismaili me këtë rast falënderoi ekipin e BB-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj BQK-së, duke mirëpritur angazhimin për financimin dhe asistencën teknike për realizimin e ketij projekti.

Ndryshe, me këtë takim delegacioni i BQK-së  përmbylli vizitën në kuadër të takimeve vjetore me FMN-në dhe BB-në, të mbajtura në Washington D.C.


MË SHUME NGA Ekonomi