Përurohet Urgjenca Mjekësore në Podujevë |VIDEO
Qendresa Duraku/RTK
Nga 2 dhjetori, qytetarët e Podujevës dhe më gjerë do të marrin shërbime në objektin e ri të Urgjencës, e cila është përuruar sot. Ky projekt është bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Podujevës dhe Organizatës “Katar Çerity”.
Të mërkurën është përuruar objekti i ri i Urgjencës Mjekësore - Doha në Komunën e Podujevës. Kryeministri Albin Kurti, i cili mori pjesë në prerjen e shirit së bashku me kreun e komunës dhe përfaqësues të Organizatës Qatar Charity, tha se projekti do të shërbejë jo vetëm për qytetarët e vendit, por edhe për rajonin e veçanërisht për bashkatdhetarët e Luginës së Preshevës.
"Komuna e Podujevës po vazhdon të ecë përpara me punimet dhe zbatimin edhe të shumë projekteve të tjera, si infrastruktura, shëndetësia e arsimi. E në këtë rrugëtim drejt zhvillimit e progresit, njëjtë sikur se në të gjitha komunat e tjera pa përjashtim, edhe komuna e Podujevës gëzon mbështetjen e pareshtur të Qeverisë së Republikës", ka deklaruar Kurti.
Ambasadori i Katarit në Tiranë dhe Prishtinë, tha se ky projekt pasqyron raportet e mira ndërmjet dy shteteve.
“Ky projekt pasqyron thellësinë e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Katarit dhe Republikës së Kosovës dhe shpreh përkushtimin e Katarit për të përmbushur projektet zhvillimore dhe shëndetësore që i shërbejnë shoqërisë kosovare dhe kontribuojnë në rritjen e stabilitetit dhe mirëqenies së saj”, tha ambasadori Jaber Ali Adouseri.
Në këtë projekt janë investuar rreth 1.8 milion euro, prej të cilave Komuna e Podujevës ka participuar me 600 mijë euro, ndërsa Organizata Qatar Charuty me 1.2 milion euro. Ndërkaq, nga data 2 dhjetor, qytetarët do të mund të marrin shërbime në urgjencën mjekësore “Doha”.























