Rafuna e Muçostepa flasin për rritje të bashkëpunimit ekonomik
E. Hoti / RTKlive
Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa u prit nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj. Takimi zyrtar kishte për qëllim përmbushjen e deklaratës së objektivave të përbashkëta për themelimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë”, me vullnetin për rritje të bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit të OEK-ut, palët ranë dakord për të gjithë hapat e mëtejshëm për funksionalizimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri–Kosovë”.
““Dhoma Ekonomike Bilaterale Shqipëri–Kosovë” do t’i shërbejë interesave të biznesit Shqipëri-Kosovë dhe do t’i propozojë qeverive të vendeve tona shqetësimet e komunitetit të biznesit nga të dyja vendet, në përputhje me objektivat e deklaratës së përbashkët për themelimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri–Kosovë”, e nënshkruar në mbledhjen e dy qeverive, më 26.11.2018 në Pejë. Ky është një hap i madh drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë dhe zbatimit të deklaratës së objektivave të përbashkëta për themelimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri–Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.
























